Çmimet e karburantit vazhduan të jenë të qëndrueshme të hënën dhe pritet që të vazhdojnë të bien për tretin muaj me radhë, ndërsa të dhënat për nivelin e prodhimit dhe të kërkesës i tejkaluan shqetësimet se sulmet e Izraelit në Liban dhe në Jemen mund të përshkallëzojnë konfliktin në Lindjen e Mesme.

 

 

Çmimet kryesore të referencës të parashikuara për nëntorin ranë me 10 cent, pra në 71.88 dollarë për fuçi dhe rënia pritet të vazhdojë edhe për dhjetorin. Nëse vazhdon rënia e parashikuar, kjo pritet të jetë ulja më e madhe e çmimit që nga nëntori 2022.

 

Të hënën, tregu u përball me mundësinë që Irani, një vend kryesor i prodhimit të karburantit dhe vend anëtar i OPEC-ut (Organizata e Vendeve Eksportuese të Karburantit), mund të tërhiqet në një përfshirje të drejtpërdrejtë në konfliktin që po zgjerohet në Lindjen e Mesme.

 

 

Që nga java e kaluar, Izraeli ka shtuar sulmet, duke vrarë udhëheqës të Hezbollahut dhe të Hamasit në Liban, si dhe duke goditur objektiva të huthive në Jemen. Të treja këto organizata mbështeten nga Irani.

 

“Mendojmë se disa prej kompanive në treg nuk do të ndikohen aq shumë nga përshkallëzimi, duke qenë se nuk ka patur një ndërprerje madhore fizike dhe Irani nuk ka treguar ndonjë dëshirë për t’u bërë pjesë e këtij konflikti gati njëvjeçar”, tha Helima Croft, nga firma “RBC Capital Markets”.tch