ATSH-DPA/- Çmimet e naftës nuk shënuan lëvizje të ndjeshme këtë mëngjes, duke mbetur pothuajse në të njëjtat nivele si një ditë më parë.
Tregjet po ndikohen nga marrëveshja paraprake mes SHBA-së dhe Iranit, për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre.
Nafta “Brent”, që përdoret si referencë në tregjet botërore, u tregtua me rreth 82,76 dollarë për fuçi (159 litra), 0,5% më e ulët se një ditë më parë.
Pas rënies së fortë të çmimeve gjatë fundjavës dhe të hënës, nafta është stabilizuar rreth nivelit, 83 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, media shtetërore iraniane raportoi se anijet e para iraniane, kanë kaluar pa probleme zonën e Gjirit të Omanit që ishte prekur nga bllokada detare amerikane.
Sipas “Press TV”, të paktën tre anije cisternë me naftë dhe dy anije mallrash, kaluan në këtë zonë dje në mbrëmje pa incidente.
Marrëveshja paraprake mes SHBA-së dhe Iranit, pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër.
Një nga çështjet më të diskutueshme, gjatë negociatave ishte rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar jetik për transportin e naftës në tregjet botërore.
Megjithatë, mungesa e detajeve konkrete mbi marrëveshjen, vazhdon të krijojë pasiguri në tregje.
Sipas zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, teksti i plotë i marrëveshjes do të bëhet publik vetëm pas nënshkrimit të saj. //a.i/



























