ATSH/ – Prishtina është bërë qyteti i parë në vend që ka tejkaluar shifrën e mbi 1000 të infektuarve me sëmundjen COVID-19.

Pas rasteve pozitive të 24 orëve të fundit, kryeqyteti tashmë numëron 1075 raste aktive, ndërsa ka edhe 9 vdekje.

Qyteti i dytë me më së shumti të prekur është Vushtrria me 385 raste pozitive, pastaj Prizreni 346 dhe Ferizaj me 268 raste.

Në këto katër komunat me më së shumti raste tashmë me vendim qeveritar është rikthyer edhe kufizimi i lëvizjes për qytetarë nga ora 21:00 deri në ora 05:00.

Në të njëjtin orarë është ndaluar edhe veprimtaria e gastronomive në të gjithë vendin.

Gjatë ditës së martë u konfirmuan edhe 183 raste të reja me Covid-19 në Kosovë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve me këtë virus në 3.886.

Ndërsa janë shëruar 57 pacientë, duke e çuar në 2.003 numrin e përgjithshëm të të shëruarve. Kurse raste aktive janë 1.801.

Nga 13 marsi kur edhe u shfaqen rastet e para me koronavirus në Kosovë, kanë humbur jetën 82 persona.

“Numri total i rasteve pozitive 3.886 raste nga 26.039 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 82 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.003 raste, kurse raste aktive 1.801”, thuhet në raportin e fundit të IKSHPK-së.

/KosovaPress/