TIRANË, 10 korrik /ATSH/- Banka e Shqipërisë bën të ditur se, është ristrukturuar 43% e totalit të huasë së dhënë në ekonomi, në kushtet e masave mbështetëse që mori qeveria për individët dhe biznesin, që gjendeshin në vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Banka e Shqipërisë nxori dy udhëzime që u jepte mundësi kredimarrësve të shtynin me nga dy tremujore radhazi, pagesat e kredisë, duke u dakordësuar me bankat, si rrjedhojë e situatës së jashtëzakonshme që u krijua nga Covid-19.
Sipas BSH-së aktualisht vlera e kredisë së riskeduluar arrin në rreth 2 miliardë euro hua dhe bankat kanë miratuar mbi 95% të kërkesave nga individët dhe biznesi për shtyrjen e kredisë.
Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë kanë hyrë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjatja e parë tre mujore ishte deri në datën 31 maj 2020. Ndërkohë që për të gjithë ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve vijoi përkeqësimin nga situata aktuale, BSH-ja ju mundësojë të përfitonin një shtyrje tjetër tre mujore, deri në 31 gusht 2020, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti.
ATSH