ATSH/ – Greqia kufizon të gjitha lidhjet detare dhe tokësore me Shqipërinë dhe ndalon hyrjen për qytetarët nga Shqipëria për në Greqi, për periudhën kohore nga 16 korriku deri më 31 korrik.

Ky vendim vjen për arsye parandaluese dhe mbrojtëse nga përhapja e mëtejshme e COVID-19, bën të ditur ambasada e Greqisë në Tiranë.

Ambasada e Greqisë thekson se, “ndalimi i hyrjes nuk është i vlefshëm për qytetarët grekë, poseduesit e Kartës së Veçantë të Identitetit të Homogjenit, poseduesit e lejeve të qëndrimit, si dhe për persona që kanë vendbanimin kryesor ose vendbanimin e zakonshëm në Greqi”.

Gjithashtu për kalimin e kamionëve që transportojnë mallra, transportin e mallrave me anije, hyrjen e personave, nëpërmjet kufijve tokësorë, për arsye absolutisht të domosdoshme profesionale, që këta persona i vërtetojnë me dokumentet përkatëse.

Gjithashtu vendoset kufizimi i përkohshëm i të gjitha lidhjeve ajrore me Shqipërinë, në drejtim të të gjitha aeroporteve të Greqisë, me përjashtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” të Athinës. Kjo bëhet për arsye parandaluese dhe mbrojtëse nga përhapja e mëtejshme e COVID-19 në territorin grek, për periudhën kohore nga 16.7.2020 deri në 31.7 2020.

Sipas Vendimit të gjithë udhëtarët që kanë të drejtë hyrjeje në Greqi, pavarësisht nënshtetësisë dhe mënyrës së hyrjes në vend, me përjashtim të atyre që hyjnë me skafe private shlodhjeje dhe anije turistike profesionale, përjashtuar këtu kroçerat , duhet të plotësojnë formularin tip elektronik PLF (Passenger Locator Form), në adresën elektronike: https://travel.gov.gr me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, jo më vonë se një ditë përpara mbërritjes së tyre.

Vërtetimi i plotësimit të formularit elektronik PLF, që dërgohet automatikisht me mesazh elektronik, nga sistemi tek udhëtari, konsiderohet si dokument i nevojshëm udhëtimi. Kompanitë ajrore dhe detare si dhe kompanitë e transportit rrugor dhe hekurudhor, janë të detyruara që të ushtrojnë kontroll tek udhëtarët para se ata të hipin në mjetin e udhëtimit.

Në rast të shkeljes së këtij detyrimi, ato janë të detyruara që të riatdhesojnë udhëtarin, nën përgjegjësinë e tyre dhe me shpenzimet e tyre. Formulari i vlefshëm i tipit PLF, me kod QR, konsiderohet i nevojshëm për hyrjen nga çdo pike hyrjeje në Greqi.

/gj.mima//a.a/