/ATSH-AFP/ – Italia regjistroi një rënie prej 12,4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë, në raport me tremujorin e parë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke hyrë kështu në recesion, konfirmoi Istat.

“Me këtë rënie të pazakontë, që erdhi menjëherë pas një rënieje me 5,4% në tremujorin e parë, PBB-ja italiane ka regjistruar vlerën më të ulët që prej tremujorit të parë të vitit 1995”, nënvizoi Instituti kombëtar i Statistikave në një komunikatë.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2019, rënie e ekonomisë së tretë të zonës euro është akoma më e madhe, me -17,3%.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, ulja ekonomike arriti në 14,3%.

Italia, vendi i parë në Europë i prekur nga epidemia, vendosi masa të rrepta kufizuese në mars dhe në prill duke paralizuar një pjesë të madhe të aktivitetit ekonomik.

Gadishulli do të pësojë këtë vit recesionin më të rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore, me një rënie të PBB-së vlerësuar, sipas ekspertëve dhe skenareve, rreth -8 dhe -14%./ /ec/