ATSH/Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve njëherazi edhe zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaroi se shifrat në rritje të të infektuarve me COVID-19 po përcaktohen nga sjellja e qytetarëve, të cilët ndryshe nga faza e parë, nuk po respektojnë rregullat vendosura.

Megjithëse sipas Rakacollit, shifrat aktuale ishin të parashikuara më herët edhe nga komiteti teknik, ajo që ka dalë jashtë parashikimeve është mos respektimi i protokolleve të sigurisë dhe qasja ndaj virusit.

“Ajo që mund të konfirmojmë të gjithë është që numri i të prekurve me COVID-19 po rritet dhe kjo është normale për fazën e rihapjes sepse kontaktet e njerëzve janë më të shtuara. Është një fazë të cilin e kishim parashikuar në strategjinë e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por ajo që vëmë re, ndryshe nga faza e parë ku njerëzit ishin shumë më të përgjegjshëm, në këtë fazë po tregohen të papërgjegjshëm duke mos respektuar rregullat dhe protokollin e sigurisë, duke rrezikuar infektimin nga ky virus”, tha Rakacolli për ATSH.

“Ajo që po vërejmë është që edhe personat të prekur nga COVID, por që janë asimptomatikë përpiqen të dalin nga shtëpitë e tyre, pavarësisht këshillave, ndjekjes nga mjekët e familjes dhe policia. Unë do të thosha që në këtë moment, vërehet një ndryshim i qasjes individuale karshi kësaj sëmundje. Ne shohim njerëz që dalin në rrugë pa maska, të ulur në bare, kafene pranë njëri-tjetrit pa ruajtur distancën dhe pa maska, të moshuar që ulen pranë njëri-tjetrit duke luajtur domino pa doreza apo respektuar distancën. Pra, kjo që po ndodh tani nuk ndodhi në fazën e parë. Nuk po shohim të zbatohen rregullat dhe protokollet e sigurisë në këtë fazë të rihapjes. Qytetarët duhet të kuptojnë që kjo betejë nuk ka mbaruar dhe virusi është ende mes nesh. Rezultatet e para u arritën falë masave drastike dhe në kohë që mori qeveria, por kjo nuk do të thotë që tani nuk duhet të mos zbatojmë masat e sigurisë që janë për të mbrojtur shëndetin tonë”, deklaron Rakacolli.

Rakacolli ka argumentuar se jemi ende në kohë për t’a pasur nën kontroll situatën. “Mund të them që jemi ende në kohë për t’a pasur në kontroll situatën, që të rifillojmë të zbatojmë protokollin e sigurisë siç e zbatuam atë në fazën e parë. Por, pavarësisht se shifrat e të prekurve janë rritur, situata vazhdon të jetë e kontrolluar deri tani”.

Kryetarja e Komisionit Teknik të Ekspertëve tha për ATSH se janë të gjitha kapacitetet për të përballuar situatën dhe në kushtet kur numrat mund të rritën akoma më shumë, janë parashikuar në skenar të çelen edhe struktura të tjera spitalore në dispozicion të COVID.

“Shifrat aktuale janë të përballueshme. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë 663 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. Ky është një raport i përballueshëm, pra kemi shtretër, aparatura dhe burime njerëzore të mjaftueshme por në rastet kur do të kemi një shtim të tyre, në skenar janë parashikuar të happen struktura të tjera shëndetësore në dispozicion të të infektuarve me COVID’.

Pyetjes lidhur me ecurinë e testimeve serologjike që kanë nisur të kryhen që prej 20 prillit, Rakacolli u shpreh se “deri tani janë kryer afro 6 mijë testime dhe fillimisht është shtrirë tek personeli shëndetësor dhe punonjësit e shërbimit që janë më të rrezikuar nga sëmundja dhe ka dalë pozitiviteti i ulët 7%. Testimet serologjike do të shtrihen edhe në grupe të tjera që rrezikohen më së shumti nga ky virus”.

Zv.ministrja ndër të tjera u bëri apel qytetarëve dhe bizneseve që të përcaktojnë ecurinë e kësaj beteje me COVID, duke respektuar rregullat dhe në çdo rast, sipas saj, të përdoren maskat për të mbrojtur shëndetin e tyre.

“Kam një apel të rëndësishëm për të gjithë qytetarët. Është sjellja e tyre që do të përcaktojë ecurinë e kësaj beteje. Masat e para drastike u morën në kohë, ndaj nuk duhet të na humbasë situata nga kontrolli. Askush nuk duhet të rrezikojë shëndetin e të tjerëve. Ju lutem, mos u bëni shkaktarë të vdekjes së personave të afërm tuaj, apo të të dashurve tuaj. Kjo qasje e fazës së dytë, duhet të marrë fund për të mos rrezikuar shëndetin tuaj fillimisht dhe më pas të kujtdo që keni pranë. Ju lutem, maskat duhet t’i vendosni kudo që shkoni, në supermarket, në qendra tregtare, në punë. Maskat ju mbrojnë nga ky virus veçanërisht në ambiente të mbyllura dhe përsa kohë që ende nuk e njohim shumë këtë virus dhe nuk ka një vaksinë na duhet të mbrohemi të gjithë. Ju lutem, nuk lejohet grumbullimin, nuk lejohet të shkoni në ceremoni mortore. Bizneset dhe institucionet të zbatojnë me rigorizitet të gjitha etapat e protokollit. Edhe personat që janë të dyshuar si pozitivë me COVID duhet të qëndrojnë në shtëpi, të presin derisa të marrin përgjigjen laboratorike”. z.tosku/ /a.g/