ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, u shpreh sot se synohet lehtësimi i veprimtarisë së biznesit në këtë kohë të vështirë që po kalon vendi ynë, por edhe e gjithë bota.
Duke folur sot në Kuvend ku po diskutohen tre projektligje ai “Për një ndryshim në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare” dhe Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””, Gjylameti tha se, “nga marsi i këtij viti, COVID-19 ka krijuar një situatë të vështirë ekonomie, sociale dhe është shoqëruar me një sërë problematikash përfshirë këtu edhe biznesin si vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ndaj klientëve, furnitorëve, punonjësve. Vështirësi në vijimin normal apo dhe në rrezik për mbyllje të aktivitetit, kryesisht për tatimpaguesit që kryejnë transaksione me para në dorë”.
Gjylameti theksoi se në këto kushte si dhe në vijim të masave të tjera të ndërmarra gjatë kësaj periudhe pandemie nga qeveria me qëllim mbështetjen e biznesit, edhe këto ndryshime ligjore synojnë pikërisht, të mbështetet biznesi me qëllim zhvillimin e ekonomisë, por në të njëjtën kohë pa hequr dorë nga formalizimi i saj”.
“Pjesë e këtyre ndryshimeve të rëndësishme ligjore janë projektligjet e fiskut ku i pari ka të bëjë me faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit. I dyti për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar dhe i treti për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare. Të treja këto pr/ligje lidhen me situatën e pandemisë shëndetësore të COVID-19, e cila ka shkaktuar vështirësi ekonomike dhe sociale”, tha Gjylameti.
Ajo shtoi se, “këto ndryshime lidhen kryesisht me shtyrjen e afateve të parashikuara në ligjin ekzistues si dhe harmonizimin e legjislacionit në aspektin e afateve. Raportimi financiar transparent nga çdo biznes, vendas apo i huaj, luan një rol kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit në vendosjen e një konkurrence të ndershme, në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, në aksesin në financim dhe sigurisht në rritjen ekonomike të vendit”.
Më konkretisht, nënvizoi ajo, qëllimi i kësaj ndërhyrje që shqyrtojmë sot ka të bëjë me dhënien e kohës së nevojshme të subjekteve të këtij ligji për të përshtatur nga pikëpamja e infrastrukturës, njohurive të duhura, por edhe zbatimin e plotë të tij.
Gjylameti u shpreh se, “do të ndryshojë afati i fillimit të efekteve të ligjit dhe sistemi i monitorimit në qarkullim, duke shtyrë datën e fillimit të këtyre efekteve në 1 shtator 2021”.
Këto ndërhyrje, shtoi ajo, “synojnë uljen e evazionit dhe të ekonomisë informale. Por në anën tjetër qëllimi kryesor ka të bëjë dhe me rritjen e të ardhurave si dhe mirëadministrimin tatimor”.
/gj.mima/ /a.g/