Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme informoi sot se në kuadër të frenimit të përhapjes së COVID-19, Ministria e Jashtme gjermane ka njoftuar zyrtarisht mbi rregullat e karantinimit të detyrueshëm prej 14 ditësh të personave që hyjnë në Berlin.

“Udhëtarët që mbërrijnë në Berlin në rrugë ajrore, tokësore apo detare, nga një shtet jashtë Republikës Federale të Gjermanisë, janë të detyruar që menjëherë pasi kanë hyrë në Gjermani të vetizolohen në banesën e tyre për një periudhë prej 14 ditësh pas kthimit të tyre”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, këtyre personave që sapo janë karantinuar nuk u lejohet të kenë vizitorë, përveç personave që jetojnë në të njëjtën banesë. Kjo masë vlen edhe për personat që hyjnë për herë të parë nga një vend tjetër në Republikën Federale të Gjermanisë.

“Personat e sipërpërmendur janë të detyruar të kontaktojnë menjëherë autoritetin përgjegjës shëndetësor, të cilët kontrollojnë nëse kërkesat e karantinimit janë përmbushur, si dhe t’i njoftojnë ata nëse kanë simptoma të ndryshme të infektimit. Gjatë periudhës së karantinës, personat e lartpërmendur janë subjekt vëzhgimi nga departamenti i shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së./m.m//a.a//r.e/

Atsh