TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Një pacient 66-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID-19, i shtruar prej një jave në gjendje të rëndë.
Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësë në frymëmarrje dhe pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 66-vjeçari i cili vuante nga diabeti dhe hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.
Që nga fillimi i epidemisë, 49 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19, ndërsa vijon të ketë raste të rënda që po trajtohen në shërbimin infektiv.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregojnë kujdes në zbatimin e rregullave në përditshmëri dhe bizneset të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor dhe taskforca antiCOVID vijojnë të jenë në terren 24/7 për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të protokolleve të sigurisë.
ATSH