/ATSH/ Curraj i Epërm gjithnjë e më shumë është shndërruar në një zonë fantastike turistike, ku çdo fundjavë vizitohet nga dhjetëra të pasionuar pas ecjes.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka publikuar disa foto nga natyra e mrekullueshme e këtij fshati malor, të fotografit Ndoc Mulaj.

“Mirëmëngjes nga Curraj i Epërm. Zonë fantastike sidomos tani në vjeshtë ku çdo fundjavë vizitohet nga dhjetëra të pasionuar pas ecjes nën udhërrëfimin e Ndoc Mulajt që ka bërë dhe këto foto të mrekullueshme”, shprehet Kumbaro në një reagim.

Curraj i Epërm është një ndër fshatrat më të izoluar të rajonit, por që përshfaq një nga pamjet madhështore të peizazhit të Alpeve, një destinacion turistik i pashkelur, perlë e turizmit malor.

I pozicionuar në një luginë magjepsëse, ai ndan fshatin Nikajn dhe Mërturin në rrethin e Tropojës, në veri të Shqipërisë.

Shtëpitë, kulla prej guri, bjeshkët e larta në të dyja anët dhe lumi i pastër kristaltë, që përshkon mes për mes fshatin e gjelbëruar, e bën Currajn e Epërm të fitojë epitetin e një ndër fshatrave më të bukur të Shqipërisë.