Fushata e 25 Prillit do të jetë një fushatë e ndikuar nga kushtet e pandemisë. Nisur nga kjo detyrimi i mediave është të pasqyrojnë përpara qytetarëve mundësitë e zgjedhjes, sidomos për kandidatët e rinj dhe të panjohur që I afrohen publikut

Në emisionin “Debat dhe transparencë” në TV Skampa gjatë kësaj periudhe do të njiheni me programet elektorale dhe mundësitë që ofron secila parti.
Këtë të hënë së bashku me gazetarët Fatmir Popja dhe Bruna Kërcyku ishte i ftuar kandidati dhe drejtuesi politik i “Lëvizjes për Ndryshim” Evald Serreqi.
Z. Serreqi tha se politika e vjetër në Shqipëri është në grahmat e saj të fundit dhe qytetarët duhet të ndahen nga 3 politikanët që e kanë marrë peng vendin prej më shumë se 30 vitesh.
Serreqi tha se eksperienca e Znj. Topalli dhe bashkimi i saj me misionin e të rinjve është një nder për “Lëvizjen për Ndryshim” madje ai shtoi se dyert e kësaj partie janë të hapura për cilindo politikan me integritet.
Z. Serreqi u shpreh i ndërgjegjshëm se partia e tij nuk do të ketë 71 mandate, por tha se ky është vetëm fillimi i ndryshimit i cili do të përqafohet nga shumë të rinj.
Z. Serreqi u shpreh i sigurt se partitë e mëdha do të tronditen në 25 Prill, ndërsa nëse do të ketë pazare të minutës së fundit për të mbajtur pushtetin, njerëzit do të mbushin sheshet tha Serreqi.
Teksa theksoi papunësinë, largimin e të rinjve dhe mungesën e shpresës si problemet kryesore në këtë vend, Serreqi tha se në 8 vite Partia Demokratike mbahet mend për klimën positive ndaj investimeve të huaja ndërsa në 8 vite, e mira e Partisë Socialiste është dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë.

ElbasaniNews.al