ATSH/ Ekonomia shqiptare po shënon rritje të shpejtë dhe të vazhdueshme, duke lënë pas pasiguritë dhe problemet që solli pandemia e virusit Sars-Cov-2.

Referuar treguesve, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur drejt rikuperimit gjatë tremujorit të fundit të 2020-ës si dhe tremujorit të parë të këtij viti. Kjo u shoqërua me zgjerim të konsumit dhe të investimeve private, rritje të shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerim të eksportit të mallrave e shërbimeve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se qeveria do të vijojë angazhimin e saj për të siguruar nëpërmjet stimujve, qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Komisioni Europian publikoi raportin ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, sipas të cilit Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri u rrit me rreth 5.5 %.

Në raport theksohet se ringritja ekonomike filloi që në tremujorin e katërt të vitit 2020 me një zgjerim prej 3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti rritja llogaritet 5.5 %.

“Rritja e shpenzimeve qeveritare me 5.2 % dhe veçanërisht, niveli i lartë i investimeve dhe eksporteve të mallrave me 21.1 % dhe 33 % respektivisht mbështetën rritjen ekonomike, ndërkohë që konsumi ishte modest me një rritje prej vetëm 1.5 %”, vlerësohet në raport.

Pas ritmeve të larta të rritjes së eksporteve dhe të ardhurave në buxhet edhe punësimi është në trend rritës.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i të punësuarve arriti në fund të muajit qershor mbi 710 mijë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend.