ATSH-Gjergji Mima/ -“67% e nëpunësve civilë nën ekzekutivin qendror janë aty përpara 2013-ës”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Administrata është politike. Ou? Po unë po ju jap vetëm një shifër. Nën ekzekutivin qendror, pa llogaritur bashki, institucione të tjera që kanë administratë publike, nën ekzekutivin qendror ka 9 mijë nëpunës civil. 67% e tyre janë aty përpara 2013-ës. 67% e tyre. Këto janë të vërteta dhe faktet që vlejnë për ata që na bëjnë gjyqet dhe bëjnë moralin nëpër tendat mediatike shtrirë atje këmbë përmbi këmbë në kolltuqe për politizimin e administratës, përfshirjen e administratës, për militantët. 67% e administratës që hyjnë me status të shërbimit civil në Shqipëri dhe që varet nga kryeministria, ministritë dhe institucionet më qendrore janë përpara 2013-ës. Se kështu është kjo punë. Në televizor unë jam ai që kam kapur administratën. Në mbledhje të partisë unë jam ai që mbaj demokratët në punë. E vërteta është kjo”.
Por ama, shtoi Rama, “nuk i kemi thënë që do të jetë aty vetëm administrata. I kemi thënë që çdo parti, çdo individë që hyn në zgjedhje mund të nxisë dynjanë e njerëzve që të shkojnë të regjistrohen vullnetar për të hyrë në administratën zgjedhore. Ne na duhen 16 mijë e 500 komisionerë me formulën tre komisionerë civilë për çdo qendër. Të gjithë të shkojnë të regjistrohen bëhen 30, 40, 50 100 mijë. Trajnohen një ditë secili në zona. Ka një periudhë kohe dhe për trajnimet. I kemi thënë ta ndjekë ky zv/kryetari që ta vënë ata t’i ndjeki vetë trajnimet ai. Dhe në fund hidhet shorti. Me short nga këta dalin njerëzit në çdo qark që i thuhet, ti atje, ti atje.
Por ama, theksoi Rama, “për të garantuar zgjedhjet, sepse vullnetarët janë vullnetarë, mund të thonë s’dua, është vënë detyruese për administratën që kujt i del emri për të shkuar tek qendra e votimit pa e ditur fare, pasi ai nuk e di fare as me kë do jetë atje dhe as në cilën qendër do jetë. Shorti hidhet 48 orë përpara dhe i thuhet ditën e dielë, i dashur ti do të paraqitesh në qendrën filan. Ama nuk u paraqite je i paguar ti nëpunës i këtij shteti hiqesh nga puna dhe humbet të drejtën për të hyrë më në punë shteti për gjithë jetën. Pa llogaritur faktin që po u kape me ndonjë gjë shkon edhe në burg. Tani ma gjeni dot mua ju një person në administratë, që do shkoka atje për të bërë kamikazin për të humbur punën për gjithë jetën edhe për të shkuar në burg. Si do ta bëjnë këtë?”.
Plus, shtoi Rama, “i kemi thënë, tre nga këta do rrinë në tavolinë do merren me procesin, në çdo qendër votimi do ketë kamera që t’i shohin me kamera she shumica dhe opozita, që duhet ta gjejmë kush opozita, po nejse po themi me ata që folëm, kanë nga dy monitorë specialë që të rrijnë atje nga fillimi në fund. Nuk kanë të drejtë të prekin me dorë regjistra e fletë votimi, por mund të shkruajnë atje gjithçka që shohin keq dhe ta çojnë tek KZAZ, ose KQZ. Dhe nëse rezulton që kërkesa e tyre është e drejtë, këta të tjerët penalizohen. Tani çfarë duan këto s’e s’e kuptoj? S’e kuptoj çfarë duan?”. /a.g/