Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se po punohet që të gjendet një formulë kompromisi lidhur me transportin publik brenda qytetit apo ndërqytetas, ndërsa shtoi se sfidë mbetet moslejimi i një vale të dytë infektimi.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Eksperteve për situatën e COVID-19, Rama tha se “kjo mbledhje po bëhet live, duke pasur parasysh situatën aktuale dhe për të adresuar disa çështje”.

“Kështu edhe publiku do të ndjekë drejtpërdrejt opinionet tuaja në kushtet kur fatkeqësisht duke qenë se disa nuk kanë me çfarë të merren, se për fat të mirë rezultatet flasin vetë, merren me Komitetin: Kush janë? Çfarë bëjnë? Pse nuk bëjnë teste? Pse nuk i njohim? Kush është kryetari i Komitetit etj”, tha Rama.

Kryeministri shprehu shqetësimin për mundësinë që në kushtet e hapjes njerëzit fillojnë harrojnë se faktikisht jemi hapur, por e kemi mes nesh këtë armik të padukshëm dhe nëse nuk respektojmë ato rregullat e thjeshta dhe më të njohura nga të gjithë mund të biem pre e një evazioni tjetër”.

“Vala e dytë sikundër kam dëgjuar prej jush nuk është një riardhje e virusit me forca të reja, por një dorëzim i njerëzve për shkak të sjelljes së gabuar me pushtetin e virusit. Kjo është sfidë e madhe. Do të shikojmë në vijim, por le të shpresojmë se njerëzit do të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm dhe do të bëjnë si duhet detyrat e tyre të thjeshta, sidomos kur hyjnë në mjedise të mbyllura që ka shumë njerëz si qendra tregtare etj”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se plani është i qartë që deri në datën 18 maj ne do të jemi mbi 90% të liruar”.

“E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobus apo me furgona, sidomos ndërqytetas, por edhe në qytete ku po shikojmë akoma të gjejmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. Ndërkohë që gjithë pjesa tjetër po çlirohet ndjeshëm, kuptohet duke evituar grumbullimet me më shumë se 10 persona etj. Do të jemi tërësisht të ekspozuar prandaj duhet të kemi një intensitet më të madh në komunikim dhe sensibilizim me njerëzit”, tha Rama.

atsh