TIRANË, 8 qershor /ATSH – I. Vata/- Agjencia e Zonave të Mbrojtura Durrës njoftoi sot se janë rikthyer vizitorët në parkun e Qafë Shtamës.

Qafë Shtama, një nga destinacionet turistike të preferuara të vendit nga vizitorë vendas dhe të huaj, gjendet vetëm 25 km larg Krujës.

Qafa ngrihet në lartësinë 1.230 m dhe shërben si urë lidhëse midis zonës së Krujës dhe luginës së Matit në veri ku shpaloset një horizont pa fund deri në malin e lartë të Dejës.

Gjithë zona dallohet për vlerat natyrore dhe pyjet e virgjër. Gjithashtu, burimet e saj janë të njohura për vlerat kuruese, ku dallohet Kroi i “Nënës Mbretëreshë”, pranë Qafështamës, rreth 1100 m mbi nivelin e detit, midis pyllit të pishave të Parkut Kombëtar.

Emrin e ka marrë në vitet 1930-të sepse këtu merrte ujin e pijshëm familja mbretërore, e një kamion bënte çdo ditë rrugën Tiranë-Qafë Shtamë.

Uji i burimeve të Qafë Shtamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por i pasur me magnez (Tab. 12-2). Kroi bën pjesë në listën e monumenteve të natyrës shqiptare.

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës si zonë e mbrojtur ka sipërfaqe prej rreth 20 km 2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966.

ATSH