Dirigjenti i njohur elbasanas, Blerim Narazani, merr titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Çmimi është dhënë sot në Presidencë.

Me këtë rast vetë presidenti Olir Meta ka publikuar një mesazh ku vlerëson lart figurën artistike të z. Blerim Narazani.

Ja çfarë shkruan Presidenti Meta:

Elbasani, qendër e patjetërsueshme e dijes, artit, kulturës dhe patriotizmit, mbetet përherë djep i personaliteteve të nderuara, që aq shumë i kanë dhënë vendit në çdo fushë të jetës.

Pinjoll i një familjeje qytetare elbasanese, me tradita të njohura arsimore dhe artistike, dirigjenti Blerim Narazani e ka zënë tashmë vendin e merituar mes figurave të shquara të kësaj treve, falë ndihmesës së çmuar të dhënë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Në të gjithë aktivitetin e tij për mbi gjysëm shekulli, si dirigjent i talentuar, pedagog i përkushtuar dhe drejtues artistik i projekteve muzikore, ai ka shpalosur kulturë, profesionalizëm, realizëm në vlerësime, dinjitet dhe integritet të lartë.

Në vlerësim të kontributeve artistike në identifikimin, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përhapur e lartësuar traditën muzikore dhe kulturore të Elbasanit në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi, kisha sot nderin ta vlerësoja z.Blerim Narazani me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

 

EdliraXherri/Elbasaninews.al