Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) po vijon me forumet dhe dëgjesat për projektin ambicioz të Automoto Park Albania, brenda Automotive Fair Albania, me grupe interesi, ekipe, klube, federatë, ekspertë e të ftuar nga bota e automoto-sportit.

Sipas DPSHTRR-së gjatë këtyre forumeve dhe dëgjesave po bëhet prezantim, pērditësim i statusit aktual të projektit.

“Interesim i jashtëzakonshëm për pistën e parë shqiptare me standarde të FIA – Formula 1, për multidisiplina garash, në një truall sapo të zyrtarizuar prej 600 mijë m2 në Krastë, Elbasan. Ambicia është të synojmë shumë lart për të investuar një infrastrukturë të denjë për një Grand Prix Ballkanik, që Shqipëria të ofrojë të parin Automoto Park në rajon të certifikuar për të tëra pistat dhe komponentët, vetëm 25 minuta nga Tirana, në korridorin 8 dhe nën 1 orë nga aeroporti “Nënë Tereza”, afër Portit të Durrësit dhe Vlorës e në një pikë shumë strategjike si pozicion gjeografik dhe klimaterik. Një ëndërr e shumëpritur së shpejti realitet. Një hap historik për automotorizimin shqiptar, për nxitjen e talenteve të timonit në kushte sigurie, për zhvillimin e programeve mbi sigurinë rrugore dhe automotosportin, si dhe për promovimin e kulturës Retro e të komunitetit automotive”, thekson DPSHTRR në rrjetet sociale.

Automotoparku i parë shqiptar, që po projektohet për t’u ndërtuar në Elbasan, do të materializohet nën kujdesin e vetë FIA.

Cirkuiti i parë shqiptar do të ketë një pistë rreth 5.3 km dhe një sipërfaqe prej 500,000+ m2 përbri lumit Shkumbin, në zonën e Krastës së Elbasanit, sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK.

Auto Moto Park Elbasan shënon një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit në Shqipëri.
Gjithashtu do të ngrihet muzeu dhe atelieri RETRO, drag-strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë off-road, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.

Ky park do të shërbejë edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muzeu e atelieri RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.

Investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor.atsh