Mediat sociale si “Instagrami” “Titter”, “Facebook” apo “Pinterest”, po i bëjnë që gjithnjë e më shumë njerëzit të ndjehen të vetmuar. Sipas psikologëve, që kanë hartuar një raport mbi këtë temë, më shumë se dy orë qëndrimi në mediat sociale në ditë, dyfishojnë shanset që një person të përjetojë izolimin social.
Psikologia Rudina Zhugli, e intervistuar nga Televizioni Skampa thekson faktin se ekspozimi ndaj përfaqësimeve ideale të jetëve të personave të tjerë, mund të shkaktojë ndjenja zilie. Dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në këto media sociale bën që personi të lqrgohet kategorikisht nga jeta reale.
Për psikologen Zhugli, është gjithashtu shumë e rëndësishme të shtohet fakti se sa më shumë kohë që një person kalon online, aq më pak kohë mbetet për ndërveprimin në botën reale. Përdoruesit mund të ushqejnë po ashtu ndjenjat e përjashtimit, për shembull nëse janë duke parë foto të miqve që kënaqen në një event në të cilin ata nuk janë ftuar.
Rrjetet sociale në kohët moderne, konsiderohen si pjesë e angazhimeve dhe jetës së përditshme.
Jo rrallë, është trajtuar çështja nëse këto rrjete janë me të vërtetë sociale apo asociale, sidomos te të rinjtë, por secili ka interpretuar në formën dhe mënyrën e vet, që kryesisht niset nga qëllimi për çka dhe sa kohë përdoren ato nga të rinjtë.
Sipas psikologes Zhugli, i gjithë problemi bazohet se për çfarë arsye përdoren këto rrjete.