Në Kullën Veneciane të Durrësit është çelur ekspozita fotografike “Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave”, një ekspozitë që sjell në vëmendje një pasqyrë të zhvillimit ekonomik të qytetit antik përmes monedhave që datojnë që nga shekulli i parë para erës sonë.
“Vijmë nga muzeu i BSh-së dhe në bashkëpunim me Qendrën Muzeore të Durrësit çelëm këtë ekspozitë. Ne synojmë të dalim jashtë mureve të muzeut tonë për t’u afruar me publikun. Po ne jemi dhe një muze i Bankës qëndrore dhe kemi dhe panele e materiale didaktike për edukimin financiar, si pagesat digjitale, produktet bankare, apo dhe inflacionin etj”, tha Besa Prela, Përgjegjëse e Muzeut të BSH-së.
Po sa të edukuar janë financiarisht të rinjtë në Shqipëri
“Nga matjet tona kuptojmë se kemi ende punë për të bërë për të edukuar brezin e ri me këto çështje të rëndësishme dhe për këtë arsye i ndërtojmë këto ekspozita që të shëtisin nëpër Shqipëri, në këtë formë që ju e shihni sot”, deklaroi Besa Prela, Përgjegjëse e Muzeut të BSH-së.
Çdo imazh monedhe i udhëheq vizitorët drejt një udhëtimi të pasur kulturor dhe financiar. Kjo ekspozitë lëvizëse ofron mundësi për nxënësit dhe studentët për të mësuar jo vetëm mbi monedhat antike, por dhe mbi çështjet financiare dhe rolin e tyre në jetën e përditshme.
Mes të rinjve që po vizitojnë ekspozitën është dhe Noah, një student francez që ndodhet në Durrës në kuadër të një programi shkëmbimi studimor.
“Jam këtu për të ndjekur këtë event mbi monedhat, ekonominë dhe financën e Durrësit dhe dua të zbuloj diçka më shumë mbi këto tema që lidhen me interesin dhe fushën e studimeve të mia. Jam këtu për një semestër në UAMD. Studioj për menaxhim hotelerie dhe restorantesh”, tha studenti francez.
Ekspozita do të jetë e hapur edhe të premten për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë më shume mbi historinë dhe zhvillimin e Durrësit përmes një këndvështrimi të ri dhe edukativ.
Top Channel