ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “PS ishte e para që vendosi dekriminalizimin në rregullat e veta statutore, ndërsa tani mirëpret mendimin e qytetarëve në përmirësimin e ‘kombëtares’ të PS-së, që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit”.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së përjavshme të shtabit elektoral në Partinë Socialiste, Balla informoi se “u diskutua mbi çështje të karakterit organizativ dhe të një raportimi dhe një vlerësimi që kemi mbledhur nga qytetarët mbi cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen ndaj aleatëve tanë të vetëm, njerëzve”.

“I kemi dorëzuar Kryeministrit një përmbledhje të vlerësimeve që burojnë nga qytetarët për cilësinë e shërbimeve publike me qëllim përmirësimin e tyre, sikurse kemi diskutuar gjithashtu edhe për krijimin e një kanali komunikimi virtual me anëtarësinë e partisë për të vlerësuar performancën e çdo deputeti në zonën e tij zgjedhore, të çdo ministri dhe të përfaqësuesve të tjerë të PS-së”, tha Balla.

Ky kanal virtual, sipas tij, “do të jetë i dedikuar edhe për kontributin e mirëpritur të çdo qytetari shqiptar që duhet të vlerësoj përfaqësuesit në Kuvend, qoftë ekipin tonë aktual, por edhe në përmirësimin e kombëtares të PS-së, që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit”.

Balla tha se mirëpresim çdo lloj komunikimi në funksion të identifikimit të atyre personaliteteve të cilët do të kenë nderin të garojnë tashmë në një sistem të ri të përfshirjes së qytetarëve në përzgjedhjen e përfaqësuesve të popullit, që e kanë bërë të mundur ndryshimet kushtetuese.

“Shpresojmë që nuk do të kemi më thirrje nga opozita për të mos marrë pjesë në zgjedhje, sepse zgjedhjet janë për popullin dhe partitë kanë detyrë të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Balla.

Lidhur me mekanizimin për të vetuar të gjithë kandidatët në zgjedhje, Balla tha se “që në Kongresin e shkurtit ne kemi bërë ndryshime statutore të rëndësishme që njehsojnë qasjen që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë sa i përket ligjit të dekriminalizimit. “PS ishte e para që e ka bërë në rregullat e veta statutore”, tha Balla.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për drejtimin politik të qarkut të Lezhës, Balla theksoi se “PS në mënyrë të vazhdueshme ka përzgjedhur dhe ka bërë ndryshime në drejtimin politik të qarqeve dhe padyshim që në Lezhë PS do të marrë 4 mandate”.

Po ashtu, Balla theksoi se “PS ka bërë reformën më të thellë në sistemin arsimor shqiptar duke e depolitizuar procesin e emërimeve të ndyra politike në shkolla”. “Mësuesit shqiptar sot janë më të qetë se kurrë se ka ikur koha kur vjen një drejtor arsimi dhe bën emërime. Aktualisht, dhe kjo është e vulosur në ligjin për arsimin parauniversitar, çdo mësues që rekrutohet, rekrutohet sipas meritës dhe një sistemi shumë transparent”, tha Balla.

I pyetur se kur do të zhvillohet Asambleja e PS-së, Balla tha se “padyshim edhe Asambleja do të mblidhet dhe kemi disktuuar edhe për mënyrën e organizimit të Asamblesë në kushtet e distancimit social”.

“Ne startojmë nesër edhe organizimin e rinisë në kuadër të FRESH VOICE për të nxjerrë udhëheqësit e rinj të të rinjve socialistë të Shqipërisë”, shtoi Balla./m.m/j.p/