ATSH/ Fundjavën që lamë pas, në Pogradec, u çel ekspozita ndërkombëtare e akuarelit “Lin in Aqua 2”, një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike të vitit në këtë qytet, e cila shënon edhe hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit.

Ekspozita solli tek publiku mbi 150 vepra të realizuara nga 64 artistë shqiptarë dhe të huaj, të përzgjedhura nga një juri ndërkombëtare. Piktorët pjesëmarrës përfaqësojnë mbi 25 vende të botës, duke e kthyer Pogradecin në një pikëtakim të rëndësishëm të artit bashkëkohor dhe të teknikës së akuarelit.

Në ceremoninë e inaugurimit, në Galerinë e Arteve të Pogradecit, ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për jetën kulturore të qytetit dhe për promovimin e Pogradecit në arenën ndërkombëtare të artit.

Gjatë ceremonisë u zhvillua edhe ndarja e 10 çmimeve të festivalit, me të cilat u vlerësuan veprat më të spikatura dhe artistët që u dalluan për cilësinë, origjinalitetin dhe nivelin e lartë artistik të krijimeve të tyre.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 12 korrik 2026, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me krijimet e artistëve të akuarelit.

Ekspozita është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit “Lin in Aqua 2”, organizuar nga Qendra për Shoqëri Aktive (QSHA), me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, nën kurimin dhe organizimin e artistëve Foti Kllogjeri dhe Armand Xhika.