ATSH/ Egnatia dhe Dinamo City vijojnë aventurën europiane, teksa të dyja skuadrat shqiptare zbritën sot në fushë në kuadër të ndeshjeve të kthimit të raundit të tretë të kompeticioneve europiane.

Egnatia ka siguruar kualifikimin në play-off-in e Europa League, pas fitores 5-1 ndaj Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit.

Pas humbjes 3-1 në takimin e parë, skuadra e Nevil Dedes përmbysi avantazhin e irlandezëve dhe fitoi 6-4 në rezultatin e përgjithshëm.

Kualifikimi në play-off-in e Europa League i garanton Egnatias pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League, pavarësisht rezultatit të turit të ardhshëm.

Në play-off, Egnatia do të përballet me Lillestrom të Norvegjisë, me synimin për të siguruar edhe një vend në fazën e grupeve të Europa League. Edhe nëse humbet në play-off, Egnatia e ka të siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Conference League.

Edhe Dinamo City arriti gjithashtu të marrë një biletë kualifikuese për play-off-in e Conference League.

Dinamo City u përball me skuadrën letoneze Auda në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Conference League. Pas humbjes 1-0 në transfertë, skuadra kryeqytetase përmbysi rezultatin në shtëpi dhe fitoi 4-0, duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1, duke kaluar për herë të dytë në historinë e saj në play-off-in e Conference League.

Golat për Dinamon u shënuan nga Qardaku në minutën e 36-të, Qefalia në të 45-ën, Ayodeji në të 51-ën dhe Fadairo në minutën e 79-të.

/e.i/r.e/a.f/