ATSH/Deputeti i Partisë Socialiste, një ndër ekspertët e njohur të ekonomisë në vend, Ervin Bushati thekson se ekonomia do të jetë në fokus në mandatin e tretë të qeverisjes së Partisë Socialiste.

Bushati rendit disa nga masat ku duhet të fokusohet qeveria për të rimëkëmbur ekonominë dhe për t’u kthyer në trendet rritëse të larta të saj pas pandemisë, pasi siç thekson ai, shqiptarët presin më shumë zhvillim ekonomik.

“Duhen marrë shumë iniciativa ekonomike. Financat duhet të vijnë në shpëtim të ekonomisë. Duhet të ketë investime të mëdha strategjike. Shteti si aksioneri më i madh duhet të marrë detyrën, siç po bën në Amerikë dhe Bashkimin Europian. Investimet kryesore duhet të jenë të orientuara nga shteti. Nuk duhet të shohim për momentin borxhin kombëtar, i cili na ka mbajtur të ankoruar në teori ekonomike që tashmë nuk vlejnë më. Të mendosh për borxhin publik në periudhë krize nuk qëndron më si teori. Duhet të kemi një Eurobond që do të shkonte deri në 25% të GDP, ose 2-3 miliardë dollarë. Pse të lëngojë ekonomia për një borxh që do të kalonte me rritjen ekonomike. Borxhet nuk është se paguhen, kalohen me rritje ekonomike. Një vend që ka treguar se deficitin buxhetor e mban nën kontroll, siç u bë në 4 vitet e shkuara, ku rritja ekonomike ishte 2 herë më shumë se deficiti buxhetor, ku ne rriteshim me 4% ndërsa deficiti buxhetor ishte në nivelet 2%”, tha ai.

Ai shprehu besimin se tani do të nisë rigjallërimi i ekonomisë, sepse po rritet kërkesa në treg, pra fuqia blerëse ka filluar të marrë veten.

“Po të shikosh takimet e G7, FMN apo BB janë në sinkron. Po flasin për një normë minimale të taksës së korporatave, të kemi një taksë dysheme. Dhe për herë të parë është rënë dakord për një dysheme rreth 15%, por mund të jetë edhe më e lartë. Kjo do të sinkronizohet në të gjithë vendet e botës. Po ashtu do të kërkohet regjistrimi për efekt taksimi për bizneset aty ku ushtrojnë aktivitetin e tyre”, u shpreh Bushati.

Përtej përballjeve politike palët, tha ai, duhet të nisin diskutimin për një ndryshim të normës së taksimit.

“Për korporatat duhet të ngrihet norma e taksimit duhet të shkojë me shkallë, 18-21-25%. Duhet të harmonizohet më mirë me TVSH-në, e cila penalizon familjet në nevojë. Taksa penalizon të pasurit. Ndërkohë ne kemi TVSH 20%, tatimfitimin për korporatat e kemi 15%. Gjysmën e bisedës e kemi kryer, pasi sot bizneset e vogla nuk paguajnë tatimfitim”,deklaroi Bushati.

Sipas Bushatit, është momenti që ekonomisë shqiptare t’i jepet një shtysë e fortë nga financat publike. Kemi një krizë që duhet ta shfrytëzojmë. Nuk duhet ta humbasim trenin e zhvillimit edhe këtë herë. /j.p/