TIRANË, 26 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Porto Romano, në Durrës, ku është drejt përfundimit Ekoparku që po zë vendin e vatrës gjysmë shekullore kanceroze të plehrave të Durrësit, e cila tanimë i përket të shkuarës.
Me një sipërfaqe totale prej rreth 16 ha Ekoparku i Porto Romanos do të ketë ambiente sportive, (përkatësisht; 3 fusha basketbolli, 1 fushë mini-futbolli dhe 2 fusha tenisi), parkim, kopsht botanik, mure kacavjerrës prej 28 metrash (climbing), kënde lojërash, hapësira dedikuar aktiviteteve sportive dhe pistë biçiklete.
Rama tha se “ky është fiks vendi ku mund të shpjegohet shumë thjesht pse ne na duhet mandati i tretë për të mbaruar punën”.
Përndryshe, tha ai, “nuk ka shans që këtë punë ta mbaroj njeri, përkundrazi rrezikon të shkojë dëm e gjitha sepse siç e la me dekada të tëra këtë zonë, nuk ka asnjë shans që të kthehet me një mendje tjetër”.
Duke u ndalur te investimet në Durrës, Rama tha se “do të fillojë investimin për 100 megawat të tjera energji diellore, kemi lagjen e re që ka filluar puna për infrastrukturën dhe do të ndërtohen apartamentet dhe gjithë infrastruktura në një model komplet tjetër”.
“Kemi zonën ekonomike plus portin e ri tregtar të Durrësit, ku do të bëhet spostimin i aktivitetit komercial nga qendra e qytetit jashtë qytetit duke i dhënë mundësi zonës së qytetit që të bëhet një destinacion turistik, një motor i madh ekonomik për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë”.
Kryeministri theksoi se “ky është një vizion që po bëhet realitet dhe që kërkon sigurisht kohën që të materializohet i gjithi”.
Ndaj, tha ai, “ne jemi këtu dhe u themi gjithë durrsakëve se është koha për ta çuar Durrësin në një nivel tjetër”.
“Është hedhur baza, janë ngritur muret, tani duhet të ndërtojmë të gjitha sistemet që e çojnë Durrësin në një tjetër nivel. Ata e bënë Durrësin dhe Shqipërinë lolo ndërkombëtarisht me ato kronikat televizive nëpër media të rëndësishme ndërkombëtare se normal, ishte e paimagjinueshme në mes të Europës të ishte një vatër si ajo që ishte këtu. Sot gropa është zero, ato mbetje që janë aty, janë në fazë kapsulimi dhe nga kjo plagë e madhe, ne ndërtojmë një zemër të madhe në zemër të qytetit”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se Ekoparku do të mbaroj brenda afateve, ndërsa theksoi se punët kanë avancuar më së miri dhe besoj se fundjavat do jenë plot me njerëz pasi është një superzonë, me vende për lojëra, lëvizje, që e bën këtë zonë një spektakël”, shtoi ai. /j.p/



























