ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se eksportet në industrinë e peshkimit janë rritur me 239%.

Në fjalën e tij në prezantimin e buxhetit 2022 për peshkatarët, kryeministri Rama tha se “vetëm këtë vit presim të mbyllet me 32 subjekte më shumë të licencuara në industrinë e peshkimit, kemi 720 subjekte të formalizuara”.

Kryeministri Edi Rama tha se “peshkimi është një nga sektorët ku ka shumë për të thënë, për të bërë, por patjetër ka dhe shumë për të treguar. Kur kemi ardhur këtu për herë të parë në një prej takimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, marrëdhënia e qeverisë, imja personalisht dhe e drejtuesve të sektorit me gjithë komunitetin e peshkatarëve ka qenë kyç për të kuptuar se cilat kanë qenë problemet më të nxehta dhe për t’i zgjidhur ato. Ishte një shqetësim i përgjithshëm i të gjithëve ju, luftë për mbijetesë në kushtet e një braktisjeje totale nga shteti, në një det të hapur ku të gjithë ju niseshit për ta marrë naftën në Itali, ku justifikohej kjo çmenduri me akuzën mbi ju që bënit kontrabandë nafte”.

Sipas Ramës, kjo situatë reflektonte vetëm dy destinacione për eksport, Itali dhe Greqi.

“Sot eksportohet në Itali, Greqi, Spanjë, Suedi, Norvegji, Kroaci, Etoni, Danimarkë, Rumani, Gjermani, Holandë, Hong Kong, në vendet e rajonit, Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe kulmi i kulmit në proces për të hapur tregun më elitar, më të vështirë, të pasur të peshkut që është Japonia”, nënvizoi Rama.

Rama bëri të ditur se peshkatarët janë bërë faktor në tregun më të vështirë dhe më të pasur të të gjithë kontinentit që është Europa Veriore e vendet nordike.

Kreu i qeverisë u shpreh se “u them atyre që e shohin Shqipërinë e punës nga portalet, kanalet e rrjetet sociale që paga më e ulët që ju jepni për të punuar në peshkim është 800 mijë lekë”.

“Të gjithë kanë nevojë për punëtorë peshkimi, kjo është ekonomi që po rritet dhe do vazhdojë të rritet. Ku i gjeni punëtorët? Me 800 mijë lekë paga më e ulët, në Turqi, Egjipt, vijnë nga Turqia e Egjipti për të punuar në Shqipëri dhe disa me diploma “Kristali” që pretendojnë se janë juristë kërkojnë punë, s’ka punë. Ja të vijnë dhe të trokasin në dyert e industrisë së peshkimit dhe nëse janë gati të punojnë e kanë gati punën këtu”, tha Rama.

/vijon/k.s/