TIRANE, 17 korrik/ATSH/ Eksportet e mallrave arritën vlerën 23 miliardë lekë në muajin qershor duke shënuar një rritje prej 7.3% krahasuar me muajin maj. Por për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar ato janë ulur me 9.7%.
Referuar raportit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave (INSTAT), importet e mallrave arritën vlerën 52 miliardë lekë, duke u ulur me 2.8%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 16.1%, në krahasim me majin e 2020-s.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 miliardë lekë, duke u rritur me 3.6%, krahasuar me qershor 2019.
Duke analizuar kontributin e grupeve kryesore, sipas INSTAT, në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi “ushqim, pije, duhan” me 1.7%.
Rënia vjetore e eksporteve prej 9.7%, këtë muaj është ndikuar nga grupet “tekstile dhe këpucë” i cili shënoi rënie me 4.5%, pasuar nga grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3.8%.
ATSH