Shkëlzen Kastrati, 41 vjeç, mbeti i vdekur paraditen e 1 shkurtit në Fier pas një atentati të mirorganizuar, në rrethrrotullimin e Sheqit. Ai udhëtonte me mjetin e tij tip Mercedes Benz ML, kur u qëllua me dy plumba që i morën jetën.

Që prej ditës së vrasjes së 41 vjeçarit bëhet me dije se policia ka shoqëruar disa persona, kalimtarë të rastit apo dhe persona të tjerë që kanë lidhje me ngjarjen.

Shkëlzen Kastrati u vra me një armë zjarri “Scorpion”, me dy plumba, një në ballë dhe tjetri në krah. Ai ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa autorët u larguan me një mjet tip Range Rover të cilit i vunë flakën në Mbrostar.

Ndërkohë, gjatë orëve të fundit policia ka zhvilluar disa operacione të befasishme në Tiranë, për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Gjithashtu, operacione dhe kontrolle shtëpishë janë bërë dhe në qytetet e Durrësit dhe Vlorës, si dhe në Fier.

Nuk ka ndonjë njoftim paraprak nga policia për këto operacione apo emra të personave të dyshuar. Por, mesa duket grupi i hetimit ka arritur të krijojë një identikit dhe indiciet e nevojshme për të shkuar te autorët e kësaj ngjarje të rëndë.

Shkak paraprak bëhet me dije se është hakmarrja, pasi vëllai i Shkëlzen Kastratit ka rënë edhe më herët pre e një atentati dhe është përfshirë në disa ngjarje kriminale.