Svetlana Timofeeva ka dalë sërish para gjykatës, e cila do të vendosë për pranimin ose jo të kërkesës së shtetit rus për ekstradimin e saj.
Seanca për rusen e dyshuar për spiunazh zgjati rreth 2 orë dhe trupi gjykues mori disa ditë kohë për të dhënë vendimin.
Trupi gjykues pritet të dalë në konkluzion përfundimtar në 4 prill.
Vetë Timofeeva ka kërkuar ndihmë shqiptare për azil politik, me arsyetimin se nëse esktradohet në Rusi, atje do t’i rrezikohet jeta nga persekutimi.
34-vjeçarja ka treguar se gjatë vitit 2018 ka dalë haptazi kundër Putinit dhe për këtë shkak drejtësia ruse e kërkon për akuzën e marrjes së paligjshme të informacionit.
Duke kujtuar konventën evropiane, si argument tjetër të persekutimit, Timofeeva ka shtuar bindjet e ish-bashkëshortit, që e konsideron një përkrahës të Putinit. Bindjet politike, nënvizon 34-vjeçarja e arrestuar në Shqipëri, së bashku me Mikhail Zorin dhe Fedir Aplatov, ishin shkaku kryesor i divorcit.
Timofeva, Zorin dhe Alatov po përballen me gjykatat shqiptare për dyshimet e spiunazhit. Ata u kapën në flagrancë në uzinën ushtarake të Çekinit në Gramsh duke fotografuar. Ndërsa në sendet personale të tyre u gjetën mjaft matëriale të tjera të disa pikave të rëndësishme që njihen si infrastrukturë kritike.
Top Channel