Ka nisur puna për ndërtimin e depos së ujit në Elbasan, investim i cili ka në fokus garantimin e furnizimit me ujë me cilësi të banorëve dhe i hap rrugë investimeve të tjera për furnizimin me 24 orë ujë të qyteti.

Falë investimit të Qeverisë Shqiptare në pjesën kodrinore në lindje të qytetit është duke u ndërtuar një depo uji me kapacitet 1000 m/kub, e cila do të garantojë furnizimin për lagjen “Krastë e Vogël”, “Hermes” dhe lagjen “5 Maji” në qytet.

Këto janë zona informale të cilat duke u ndërtuar pa një plan rregullues, për shumë kohë kanë vuajtur mungesën e infrastrukturës, si saj rrugore, ashtu edhe kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe deputetët inspektuan fillimin e punimeve.

Balla në fjalën e tij tha se investimi përfshin rikonstruksionin e linjave kryesore, shtrimin e rrjetit të ri shpërndarës, ndërtimin e depos së re dhe një stacion pompimi të ri.

“Është viti i tretë radhazi që Qeveria Shqiptare vendos Elbasanin në prioritetet e veta të investimeve në ujësjellës, pasi ky ka qenë një problem i madh prej shumë vitesh.
Në dy vitet e kaluara kemi përfunduar disa prej lagjeve të Elbasanit dhe po vazhdojnë më tej që gjithë zona periferike e qytetit të ketë një furnizim normal me ujë të pijshëm.
Ky investim do të garantojë furnizimin me ujë me cilësi të këtyre banorëve, por edhe me orare furnizimi më të zgjatura. Për ne është shumë i rëndësishëm realizimi me cilësi i këtij projekti dhe në këtë pikë s’ka asnjë tolerancë”, deklaroi Balla.

Ndërsa Llatja ritheksoi se përmirësimi i shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm është prioritet për Bashkinë e Elbasanit dhe investimet do të vijojnë deri në furnizimin me ujë 24 orë të çdo banori.

Investimet në ujësjellës nuk janë të përqendruara vetëm në qytet, por edhe në ato fshatra ku prej vitesh ka pasur problematika.