Kryeministri Edi Rama tha gjatë mbledhjes së përbashkët që Shqipëria dhe Kosova, për vitin e ardhshëm, duhet të kenë një abetare të përbashkët e më pas edhe në të gjitha hapësirat ku fëmijët mësojnë shqip.

‘Dëshiroj të ndaj një gjë që e di që do të japë kënaqësi, ne kemi dakordësuar në qeveri, që të punojmë që në vitin e ardhshëm, që është edhe një vit jubilar, të kemi gati abetaren e unifikuar. Prej vitesh tanimë është një libër që bazuar në ligjin e arsimit që ne kemi është trajtuar si tekst, me shumë alternative. Jemi dakordësuar për një abetare, dua ta ndajmë së bashku këtë objektiv që të kemi një abetare unike të gjuhës shqip në Shqipëri e Kosovë, e më tej në të gjithë trojet. Na duhet një punë cilësore, për një libër të shenjtë për të gjithë shqiptarët. Të krijojmë një libër që të jetë i veçantë e me vlerë të caktuar.’- tha Rama.