Elbasani festoi sot 109 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së qytetit! Ceremonia e mbajtur me këtë rast kulmoi pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit, ku kryetari Gledian Llatja përcolli edhe mesazhin e rastit! Nën himnin e bandës frymore “ Afërdita”, në këtë event kanë marrë pjesë edhe deputetët e PS të Elbasanit, si edhe përfaqësues të pushtetit lokal. Kryebashkiaku Gledian Llatja në fjalën e tij vlerësoi e nderoi kontributin e 35 patriotëve firmëtarë të aktit të parë të mëvetësisë që parapriu atë të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 nëntorit 1912.
“ Kemi rastin të shprehim krenari që jemi qyteti i parë që vendosëm gurin e parë të themelit të pavarësisë së vendit tone. Më 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Në kuvendin historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit. Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare”, tha Z Llatja.
109 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani por edhe rrethet e tjera të tij shpallën pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë kështu pavarësisë së vendit në 28 nëntor.