ATSH/ Në 100 vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, dhjetëra të rinj dhe të reja konkurruan në me krijimet e tyre në prozë, poezi dhe ese në Festivalin Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020”.
Edhe pse në kohë pandemie, Edicioni i VI i festivalit e nisi punën e tij në mars, duke e ndryshuar tërësisht mënyrën e organizimit, pasi gjithçka është kryer online. Festivali, që organizohet si çdo vit nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, i mbështetur nga Bashkia e Tiranës, u drejtohet të rinjve që shkruajnë në gjuhën shqipe në tri gjini prozë, poezi, ese. Ai synon të sjellë në vëmendjen e lexuesve shqiptarë krijues të rinj e të talentuar, të cilët do të jenë autorët e së nesërmes, dhe t’i drejtojë ata përmes aktiviteteve të ndryshme për të fituar gjithnjë e më shumë bindje mbi talentin e tyre.
Tema e këtij edicioni është “Shpirti i një kryeqyteti që ndryshon”, e lidhur ngushtësisht me Tiranën dhe 100 vjetorin e shpalljes Kryeqytet. Për këtë u shpërndanë postera në mjediset pranë shkollave dhe pallateve, në mënyrë që kushdo të merrte informacionin e duhur mbi zhvillimin e tij. Gjithashtu, përmes fushatave online u njoftua një grup më i madh njerëzish dhe për disa ditë me radhë u zhvillua një fushatë informuese përmes postimeve në Facebook. Të gjitha aplikimet u pranuan si në të gjitha edicionet e Festivalit përmes aplikimit në Faqen zyrtare të Festivalit në Facebook. Aplikimet u sistemuan dhe iu dorëzuan jurisë së përbërë nga Arta Marku, Ylljet Aliçka dhe Renato Kalemi, për të përzgjedhur grupet e 6 krijimeve më të mira dhe të fituesve në secilën gjini. Fituesit e Festivalit pritet të shpallen së shpejti.
Ndërkohë, me ndihmën e trajnerëve Aida Nova, Kristian Koroveshi dhe Klea Mani u zhvilluan përmes platformës Zoom takimet e seminareve rikrijuese, në të cilat konkurrentët u njohën me njëri-tjetrin, patën mundësinë të bisedonin mbi krijimet e tyre mbresat që kishin dashur të përcillnin përmes tyre dhe dëftuan sa kishte ndikuar kjo gjendje e jashtëzakonshme në krijimtarinë e tyre. Në seancën e dytë, pjesëmarrësit morën njohuri se si mund të lexoheshin në mënyrë profesionale krijimet e tyre. Ky lexim u shërbeu për leksionin mëtejshëm, ku ata morën disa njohuri mbi zhvillimin e videove artistike, të cilat do të përmbajnë krijimet e tyre.
Pjesëmarrësit në këtë mënyrë sollën në faqen Facebook të Festivalit videot e realizuara prej tyre ku përmes imazheve të përzgjedhura me kujdes lexuan krijimet e dërguara më parë me shkrim përmes aplikimit. Faza e fundit e festivalit përfshin përgatitjen e ceremonisë finale, ku do të shpërndahen trofetë për fituesit dhe botimi i antologjisë me krijimet e pjesëmarrësve.
z.tosku//a.a/