Sulmuesi Mostafa Zico është dënuar gjithashtu me pesë ndeshje pezullim, shtoi federata.

Sanksionet lidhen me humbjen 3-2 të Egjiptit kundër Argjentinës, më 6 korrik, në Atlanta të SHBA-së, gjatë Kupës së Botës.

“Federata Egjiptiane e Futbollit ka marrë vendimet e Komitetit Disiplinor të FIFA-s lidhur me Hossam Hassan, trajnerin e përfaqësueses, Ibrahim Hassan, menaxherin e ekipit, dhe lojtarin Mostafa Zico”, thuhet në një deklaratë të federatës.

Ibrahim Hassan u pezullua për tri ndeshje.

Federata tha se i kishte kërkuar FIFA-s “arsyet dhe shpjegimet e hollësishme për vendimet”, në mënyrë që të vlerësonte mundësitë ligjore dhe të përgatiste një ankesë.

Pezullimet mund t’i lënë vëllezërit Hassan jashtë ndeshjeve të ardhshme të Egjiptit në kualifikimet për Kupën e Kombeve të Afrikës kundër Malavit në nëntor, si dhe të ndeshjes së parë gjatë dritares ndërkombëtare të marsit.

Pezullimi prej pesë ndeshjesh i Zicos pritet ta mbajë atë jashtë fushës deri në qershor.

Egjipti u eliminua në fazën e 1/8-ve të finales pasi lëshoi epërsinë prej 2-0 në një ndeshje të tensionuar. “Faraonët” u zemëruan nga disa vendime të arbitrimit, përfshirë anulimin e një goli në fillim të pjesës së dytë.

Një anëtar i stafit teknik të Egjiptit u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq pasi Argjentina shënoi golin e fitores.

Më pas, Hossam Hassan akuzoi kundërshtarët se ia kishin “mohuar me mashtrim” Egjiptit një vend në çerekfinale, pasi Argjentina përmbysi rezultatin në minutat e fundit.   /os/