ATSH-AFP/ – Festivali i Filmit në Venecie ndan sot çmimet kryesore, pas dy javësh me një program të dominuar nga filma të errët, të dhunshëm dhe politikë.
Mes favoritëve për “Luanin e Artë” janë dokumentari izraelit “NAZA”, që trajton vrasjen e civilëve në Gaza, dhe drama “Wild Horse Nine”, me protagonist aktorin John Malkovich.
Dokumentari “NAZA”, i realizuar nga fituesit e çmimit Oscar Yuval Abraham dhe Rachel Szor, mori një duartrokitje rekord prej 25 minutash në premierën e tij.
Filmi, i bazuar në dëshmitë e 24 sinjalizuesve izraelitë, paraqet rrëfime për përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në bombardimet e Gazës.
Ai është vlerësuar si filmi më i mirë në konkurrim nga kritikët ndërkombëtarë, sipas revistës “Screen”.
Megjithatë, “NAZA” përballet me konkurrencë të fortë nga filma të tjerë të vlerësuar, mes tyre “Possible Love”, një dramë për marrëdhëniet njerëzore nga regjisori koreano-jugor Lee Chang-dong, dhe “Wild Horse Nine”, një komedi e zezë e regjisorit britaniko-irlandez Martin McDonagh.
Në “Wild Horse Nine”, John Malkovich luan një agjent të zhgënjyer të CIA-s, i cili udhëton me një koleg në ishullin e Pashkëve, në Kili, pak para grushtit të shtetit të vitit 1973, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Interpretimi i tij ka bërë që disa kritikë ta konsiderojnë kandidat për një nominim të mundshëm për “Oscar”.
Filmat e tjerë në konkurrim trajtojnë tema si lufta, korrupsioni dhe pabarazia ekonomike.
Ndër ta janë “DAU”, për shkencëtarin sovjetik Lev Landau, “Ink” i Danny Boyle, që trajton gazetën britanike “The Sun” dhe “Primetime”, me Robert Pattinson në rolin e një prezantuesi televiziv që ndjek abuzuesit seksualë të fëmijëve.
Në konkurrimin kryesor merr pjesë edhe “Woman Unknown”, drama e regjisores danezo-egjiptiane May el-Toukhy, e vendosur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky është i vetmi film artistik i drejtuar nga një grua në këtë seksion.
Regjisorja tha se do të dëshironte të kishte më shumë gra në konkurrim.
Nëse “NAZA” do të fitonte Luanin e Artë, vendimi i jurisë, e drejtuar nga aktorja dhe regjisorja amerikane Maggie Gyllenhaal, do të kishte një karakter të fortë politik.
Dokumentari paraqet dëshmi për bombardimet në Gaza, ndërsa ushtria izraelite ka kritikuar përdorimin e dëshmive anonime, duke deklaruar se identitetet e sinjalizuesve nuk mund të verifikohen.
Ceremonia e mbylljes së Festivalit të Venecias zhvillohet sot në mbrëmje.
“Luani i Artë” është një nga çmimet më prestigjioze të kinematografisë dhe mund të ndikojë ndjeshëm në suksesin ndërkombëtar të filmit fitues, si dhe në shanset e tij gjatë sezonit të çmimeve në Hollywood. /Ad.Ab./



























