ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Baron”. Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe gjatë tij u sekuestruan 1 kilogram e 88 gramë lëndë narkotike kokainë.

Policia njoftoi se ka vënë në pranga tre persona.
Sipas policisë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve në DVP Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “BARON”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: L.G, 43 vjeç, banues në Vorë, XH.L, 28 vjeç (punonjës policie) banues në Fier dhe D.N, 62 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë se shtetasit D.M dhe L.G, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë, dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në kufi me qarkun e Durrësit me qëllim shmangien e prezencës policore, kanë organizuar punën duke i mbajtur nën vëzhgim.
Në aksin rrugor Tiranë-Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit, shtetasi XH.L dhe D.N, janë kapur në flagrancë së bashku me shtetasin L.G, me një pako lëndë narkotike kokainë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celularë dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim. /j.p/r.e/