Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump bëri premtime të mëdha për atë që mund të pritej nëse ai do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
“Me mbështetjen tuaj, ne do ta kthejmë fuqinë, dominimin, prosperitetin dhe krenarinë e vendit tonë”, tha Trump dy javë para ditës së zgjedhjeve. “Kjo do të jetë epoka e re e artë e Amerikës”.
Tani që Trump e ka fituar një mandat të dytë si president, çfarë mund të pritet nga administrata e tij e re?
Përgjigjja për këtë pyetje varet shumë nga ajo se kë e pyesni. Mbështetësit e Trumpit besojnë se ai do ta bëjë Amerikën madhështore sërish – sipas motos së fushatës së tij – brenda dhe jashtë vendit.
Kundërshtarët e tij kanë paralajmëruar se Trump do ta minojë demokracinë në Shtetet e Bashkuara.
Koha për hakmarrje
Ai vazhdimisht i ka sulmuar kundërshtarët e tij politikë, duke iu referuar atyre si “armiku nga brenda”, dhe duke sugjeruar se ushtria mund “të merret lehtësisht me ta” në rast të kaosit pas zgjedhjeve.
Komentet kanë nxitur nënpresidenten në largim, Kamala Harris, e cila garoi dhe humbi përballë Trumpit, të thotë para zgjedhjeve se Trump është “i fiksuar pas hakmarrjes, plot mëri dhe i uritur për pushtet të pakontrolluar”.
Brenda vendit, sistemi gjyqësor amerikan është një fushë ku Trump pritet të bëjë spastrime, kryesisht për shkak të rasteve të shumta penale që lidhen me mandatin e tij të parë, përfshirë ndërhyrjen e supozuar në zgjedhje dhe përpjekjet për ta penguar kalimin e pushtetit pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Trump ka thënë, po ashtu, se do t’i falë “patjetër” mbështetësit e tij, të burgosur për rolin e tyre në sulmin e 6 janarit ndaj Kongresit amerikan, në një përpjekje të dështuar për të penguar certifikimin e fitores së Joe Bidenit.tch