ATSH-UKRINFORM/ – Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës vazhdon të punojë ngushtë me partnerët për të vlerësuar kërcënimet e agresionit rus, duke u bërë thirrje atyre që të vetëpërmbahen nga hapat që mund të çojnë në  “fryrjen e pajustifikuar të hapësirës së informacionit”.

“Ministria e Punëve të Jashtme mirëpret vendimin e shumicës dërrmuese të partnerëve të huaj për të mos ndryshuar regjimin operacional të misioneve të tyre diplomatike në Ukrainë, duke përfshirë edhe evakuimin e stafit dhe familjeve të tyre. Ne rikonfirmojmë qëndrimin se hapa të tillë janë të parakohshëm në këtë fazë”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme theksoi se ka vazhduar të punojë ngushtë me partnerët për të vlerësuar rreziqet dhe kërcënimet e mëtejshme të agresionit rus.

“Ne u bëjmë thirrje partnerëve të huaj të përmbahen nga ndërmarrja e hapave në hapësirën publike që do të rriste tensionet në fushën e informacionit dhe do të destabilizonte opinionin publik. Ne kemi besim se sfidat aktuale mund të kapërcehen vetëm përmes unitetit dhe koordinimit të veprimeve të përbashkëta”, tha Ministria e Jashtme ukrainase.

SHBA, Britania e Madhe, Australia, Gjermania dhe Kanadaja kanë njoftuar synimin e tyre për të evakuuar disa punonjës të ambasadës dhe anëtarët e familjeve të tyre ose të autorizojnë largimin e tyre vullnetar nga vendi./ /os/