Administrata e Zonave të Mbrotjura Shkodër dhe vullnetarë të shoqatës “Shpendët e Shqipërisë” realizuan hartëzimin e plotë të vendfolezimeve të dallëndyshes së detit faqebardhë (Chlidonias hybrida) në Liqenin e Shkodrës si dhe monitorimin e folezimit të këtij lloji.

Liqeni i Shkodrës përfaqëson mjedisin e vetëm në Shqipëri ku gjendet një koloni e dallëndyshes së detit faqebardhë. Kjo falë disa pjesëzash habitatesh të shkëlqyera që formohen në këtë liqen, që në të njëjtën kohë krijojnë kushte ideale për folezimin e këtij lloji.

Një total prej 370 çiftesh folezuese u numëruan gjatë ekspeditës së parë të monitorimit. Shpendët ishin në vrullin e ndërtimit të foleve ku në ditët e ardhshme do të lëshojnë vezët dhe do të fillojnë ngrohjen e tyre.

“Është thelbësore që në këtë periudhë deri së paku në mesin e muajit korrik kur të gjithë të rinjtë lenë foletë, të shmanget çdo shqetësim në zonat e folezimit. Për këtë kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarëve, duke i’u kërkuar dhe falënderuar paraprakisht për shmangien e plotë të çdo aktiviteti apo hyrjeve në zonat e folezimit”, – shprehet “Shpendët e Shqipërisë”.

atsh