TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kujtim Sade nga fshati Selitë i Cërrikut ka historinë e shumë shqiptarëve të tjerë, që pas disa vitesh në emigracion rikthehen në vendlindje për të investuar, në tokën e tij në ngritjen e pemëtoreve me pjeshkë, që sot eksportohen në tregun e huaj.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë një vizite në fermën e Kujtim Sades, pa nga afër sesi Kujtimi, eksperiencën e fituar në sektorin bujqësor në Itali, e solli në Shqipëri, duke krijuar sot modelin më të mirë të sipërmarrjes shqiptare në sektorin rural.

Bashkë me vëllain e tij Xhevdetin, kanë rreth 14 ha plantacione me pjeshkë në një prej zonave më të bukura të vendit. Produkti shitet në tregun vendas dhe për eksport.

“Më tregoi se deri më tani duket një vit i mbarë me prodhimin, ndërkohë që do të aplikojë në thirrjen e radhës të programit IPARD për të zhvilluar më tej sipërmarrjen e tij”, – u shpreh Çuçi.

Ndërsa theksoi se, ata që punojnë tokën dhe investojnë në zonat rurale meritojnë gjithë mbështetjen dhe mirënjohjen tonë.

ATSH