TIRANË, 19 qershor/ATSH/ -Identifikohen gjurmë muresh si dhe kalldrëme të vjetra në projektin për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të kalasë së Ali Pashës dhe vazhdimit të shëtitores përgjatë hyrjes së kalasë, në Tepelenë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh sot se këto gjurmë muresh po i nënshtrohet studimit më të thelluar.
“Projekti për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të kalasë së Ali Pashës dhe vazhdimi i shëtitores përgjatë hyrjes së Kalasë, në Tepelenë, po nxjerr në dritë të tjerë elementë, që dëshmojnë përmasat dhe rëndësinë e këtij monumenti. Janë identifikuar gjurmë muresh si dhe kalldrëme të vjetra, të cilat po i nënshtrohen studimit më të thelluar”, shprehet ministrja Margariti.
Së shpejti, thekson ajo, “kalaja e Tepelenës do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë turistik e kulturor”.
Kalaja e Tepelenës vazhdon të përbëjë një prej objekteve, e cila mbart dëshmi dhe vlera të rralla historike. E ndërtuar nga Ali pashë Tepelena, në periudhën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës, kalaja e Tepelenës është një objekt me vlera të rralla ndërtimore, por edhe një kala, e cila mbart dëshmi të rëndësishme historike.
Ajo njihet prej të gjithëve si një nga simbolet e lidhjes historike të Tepelenës me sundimtarin e njohur Ali Pashë Tepelena. Vazhdimisht, përgjatë mureve të gurta të kalasë, kullave dhe ndërtimeve të tjera prej guri, të zë syri grupe turistësh të cilët kërkojnë të prekin nga afër vlerat e kështjellës të ndërtuar nga Veziri i Janinës.
ATSH