TIRANË, 9 korrik/ATSH-A. Fortuzi/- Qyteti i Kamzës së shpejti do të ketë një pamje të re. Pas përfundimit të investimit, qytetarët do të jenë dëshmitarët e ndryshimit rrënjësor të qendrës së qytetit të tyre.

Që ditët e para të marrjes së detyrës, pas besimit që qytetarët i dhanë kryebashkiakut Suli, ai mori angazhimin personal për të përdorur me efikasitet çdo taksë të qytetarëve duke i kthyer në investime për qytetin, të prekshme për qytetarët, por dhe duke bashkëpunuar me qeverinë dhe donatorët që Kamza të ndryshojë rrënjësit falë investimeve të duhura dhe të kërkuara nga vetë komuniteti, pas konsultimit me ta.

Një nga projektet është edhe ai i rehabilitimit të qendrës pas 30 vitesh pa ndërhyrje. Ky proces do të përfshijë një sërë punimesh, ndër të cilat : rrjeti i kanalizimeve, ndërtimi i pedonales, ndërtimi i lulishtes, ndërtimi i tregut, rikonstruksioni i fasadave të pallateve.

Tashmë puna ka nisur. “Pas 30 vitesh harresë, një Qendër Kamëz, tërësisht e transformuar me sheshin, ngjyrat, gjelbërimin dhe rrugët na pret së shpejti. Këtu për të mbajtur çdo premtim të dhënë!”, u shpreh kryebashkiaku Suli.

Kryerja e këtij investimi për qendrën e Kamzës do të ketë një impakt social tek qytetarët, pasi do t’iu japë atyre mundësinë të zhvillojnë pronën e tyre si dhe të mund të jetojnë në lagjet e tyre në kushte më të mira, falë një infrastrukture bashkëkohore që do t’iu mundësohet.

ATSH