“Ata nuk do ta ndërtojnë atë. Nuk do ta blejnë. Nuk do të bëjnë asgjë me të,” u shpreh Trump gjatë samitit të liderëve të G7-tës në Evian të Francës.
Ai shtoi se marrëveshja për Iranin po kalon në një “fazë të dytë”, por pa dhënë detaje të mëtejshme, duke e cilësuar atë si një marrëveshje të drejtë dhe të mirë.
Pakti dhe negociatat
Ndërmjetësi kryesor, Pakistani, njoftoi të dielën se është arritur një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, e cila pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër.
Sipas informacionit të deritanishëm, marrëveshja parashikon zgjatjen e armëpushimit edhe për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës palët do të negociojnë detajet e një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, përmbajtja e plotë e dokumentit nuk është bërë ende publike.
Izraeli dhe Libani
Duke folur për Lindjen e Mesme, Trump tha se Izraeli duhet të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj Libanit, duke theksuar se luftimet me Hezbollahut kanë zgjatur shumë dhe kanë shkaktuar një numër të madh viktimash.
I pyetur nëse është i zhgënjyer me kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidenti Trump tha se kanë një marrëdhënie të “shkëlqyer”, por shtoi se ai “duhet të jetë më i përgjegjshëm ndaj Libanit”.
“Nuk më pëlqeu që ai kreu sulmin… ishte e tepruar”, u shpreh Trump.
Ai shtoi gjithashtu se, pa SHBA-në nuk do të kishte Izrael… “sepse asnjë president tjetër nuk ishte i gatshëm të bënte atë që bëra unë”.
SHBA-ja dhe financimi i Iranit
Trump hodhi poshtë raportimet se SHBA-ja do të investonte fonde në Iran në kuadër të marrëveshjes.
“Ne nuk po investojmë asnjë para në Iran”, tha ai, duke i quajtur “qesharake” thashethemet që qarkulluan një ditë më parë.
“Ne nuk kemi asnjë detyrim të investojmë asnjë para në Iran”, shtoi Trump.
Bisedimet teknike dhe kushtet e marrëveshjes
Sipas zyrtarëve amerikanë, bisedimet teknike për programin bërthamor të Iranit pritet të fillojnë këtë javë.
Çdo lehtësim i sanksioneve apo lirim i aseteve, do të varet nga përmbushja e detyrimeve nga Teherani.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit, mbetet pasurimi i uraniumit dhe kërkesa e Perëndimit që Irani të mos zotërojë armë bërthamore. //a.i/



























