Partia Socialiste përsërit thirrjen për bashkëpunim drejtuar Partisë Demokratike. Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla tha se ftesa është e sinqertë dhe se ky bashkëpunim është i domosdoshëm për proceset integruese të vendit.
“Reformat që do të kërkojë kjo fazë e fundit për anëtarësimin e Shqipërisë, nisja e bisedimeve të anëtarësimit, në këtë kuadër ftesa për të bashkëpunuar me opozitën është e sinqertë që bazohet në interesa madhore të vendit dhe kontributi i çdo faktori vendimmarrës dhe përfaqësues dhe sidomos kontributi i PD duhet të bëhet pjesë e kësaj aspirate dhe këtij procesi”, tha Balla.
“Pas këtyre momenteve të përzgjedhjes dhe rikonfirmimit të lidershipit të PD, në ato proceset e brendshme të tyre, do të kemi mundësi në shtator që të identifikojmë se cilat janë çështjet që ne e kemi të nevojshme bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, tha Balla.
Balla nuk komentoi hetimet për Metën. Ai tha se tashmë i duhet lënë fjala Komisionit Hetimor Parlamentar.
“Tani duhet të heshtim dhe komisioni të sugjerojë vendimmarrjen e vet. Nëse do të shkeljet janë të rënda dhe hyn në parashikimet e Kushtetutës për shkarkimin, natyrshëm do të shkarkohet, nëse komisioni do të thotë ndryshe, kjo është vendimmarrje sovrane e komisionit. Ne duhet të respektojmë Kushtetutën dhe atë mandat që i kemi dhënë këtij komisioni”, tha Balla ndër të tjera.