Ndarja nga jeta e 22-vjeçarit është lajm i rëndë për familjen e tij, klubin e Elbasanit, miqtë, bashkëlojtarët dhe gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, që humbet një djalë të ri me të ardhme përpara dhe pasion të madh për futbollin.
Bunjaku humbi jetën në një aksident rrugor që ndodhi pas mesnate në aksin Prishtinë–Mitrovicë.
Përmes një mesazhi publik, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shprehu ngushëllimet e tij për këtë humbje të rëndë.
“Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij.
Federata Shqiptare e Futbollit i bashkohet ngushëllimeve për familjen Bunjaku, të afërmit, miqtë, bashkëlojtarët dhe klubin e Elbasanit në këto momente të vështira.
Sulmuesi iu bashkua Elbasanit gjatë verës së kaluar dhe u bë pjesë e një sezoni të suksesshëm, ku skuadra siguroi pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Paralelisht, ai kishte qenë pjesë edhe e përfaqësueses së Kosovës U-21, duke u konsideruar një nga futbollistët premtues të brezit të tij.
Gjatë karrierës së tij, Bunjaku kishte veshur fanellat e disa klubeve në Kosovë, mes tyre Malisheva, Gjilani, Liria dhe Trepça, duke ndërtuar hap pas hapi rrugën drejt afirmimit në futbollin profesionist.



























