TIRANË, 18 korrik/ATSH/-Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka deklaruar se falë garancisë sovrane 1, janë 548 biznese që kanë përfituar kredi me interes të subvencionuar për pagat e të punësuarve.
Denaj thekson se deri më datën 13 korrik, nga 757 aplikime, 548 prej tyre janë aprovuar. Sipas saj, në zbatim të marrëveshjes me bankat, fondet e papërdorura do të rishpërndahen mes bankave të nivelit të dytë.
“Falë Garancisë Sovrane 1, janë 548 biznese që kanë përfituar kredi me interes të subvencionuar, për pagat e 46 mijë të punësuarve. Numri i aplikimeve ka arritur në 757. Në zbatim të marrëveshjes me bankat, fondet e papërdorura do të rishpërndahen mes bankave të nivelit të dytë”, deklaroi ministrja Denaj.
Për të mbështetur subjektet me likuiditet, qeveria shqiptare miratoi garancinë e parë në vlerën 11 miliardë lekë, e cila do të ndahej nga bankat për subjekte që kanë vështirësi në pagimin e pagave. Kostot e normës së interesit mbulohen tërësisht nga qeveria dhe nuk kërkohet asnjë kolateral nga kompanitë.
Kredia do të mbulojë pagat e punonjësve për një periudhë 3-mujore duke mos tejkaluar pagën mujore prej 150 mijë lekësh për punonjës. Të gjithë sektorët e ekonomisë janë të përfshirë me përjashtim të telekomunikacionit, shitjes me shumicë të produkteve ushqimore dhe farmaceutikës.
ATSH