TIRANË, 24 qershor/ASH/ Për nevojat e sipërmarrjes në procesin e rimëkëmbjes, Qeveria Shqiptare së bashku me bankat e nivelit të dytë, po zbatojnë garancinë e dytë sovrane.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se deri më sot bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 4 miliardë e 44 milionë lekësh dhe janë aprovuar rreth 50% e aplikimeve nga bizneset.

Deri tani, u shpreh Denaj, kanë aplikuar 80 biznese, ndërsa është miratuar kërkesa për 40 prej tyre me një vlerë prej 838.1 milionë lekësh.

“Avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit me interes, që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5% dhe periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh”, u shpreh Denaj.

Përmes kësaj garancie, tha ajo, shtojmë mundësitë për likuiditet, plotësojmë nevojat për kapital qarkullues dhe investime me garanci 60% nga shteti shqiptar dhe ju sigurojmë një periudhë shlyerjeje 5 vjeçare.

ATSH