ATSH/Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mbajti sot fjalën sot në Kuvend ndërsa komentoi raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për të cilin deklaroi se viti 2019  ka qenë intensiv në këtë drejtim dhe ka patur forcim të  bashkëpunimit të të gjitha strukturave, çka sipas saj është përkthyer në rezultate pozitive.

Ministrja deklaroi se “emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm në Dhjetor të vitit 2019 dhe krijimi i SPAK, padyshim janë dy shtylla të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme në rezultatet e reformës”.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm që viti 2019 krahas të tjerave ka qenë edhe një vit intensiv në luftën kundër kriminalitetit ku ka patur një angazhim dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave dhe që ka patur disa rezultate pozitive. Por ajo që pritet nga Prokuroria është më shumë. Në mbështetje të raportimeve të kryera, analizën e dokumenteve strategjikë qeveritarë, raportet e organizmave ndërkombëtarë, progres raportin e Komisionit Europian, Raportin e Departamentit të shtetit përfshirë edhe të dhënat zyrtare të mbledhura, kemi evidentuar disa nga problematikat që janë evidentuar gjatë vitit 2019, dhe mbi bazën e të cilave janë bazuar dhe rekomandimet për vitin 2020. Rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave për Prokurorin e Përgjithshëm për vitin 2019 kanë qenë fokusuar në 4 shtylla kryesore prioritare: Lufta kundër korrupsionit, Lufta kundër krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional-ndërkombëtar’, deklaroi ministrja.

Sipas saj, lufta kundër korrupsionit është një prioritet kyçe që udhëheq punën e institucionit që ajo drejton, pra jo vetëm si Ministre Drejtësie, por edhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, me një përgjegjësi në nivel kombëtar për luftën kundër korrupsionit.

“Pavarësisht disa rezultateve pozitive për vitin 2019 në aspektin statistikor në veprat penale kundër korrupsionit, mbeten ende i ulët i numrit të hetimeve proaktive, i dërgimit të dosjeve në gjykatë. Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, përpara se të jetë një rekomandim kryesor i BE-së është një detyrim i të gjithëve ne ndaj qytetarëve shqiptarë. Forcimi i bashkëpunimit me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, është një tjetër drejtim prioritar për Qeverinë Shqiptare”, tha Gjonaj.

Gjonaj kërkoi një rritje të hetimeve proaktive ndërsa tha se “kërkohet një mobilizim me të gjitha strukturat ligjzbatuese dhe në mbështetje dhe koordinim për rritjen jo vetëm të numrit por të rritjes së cilësisë së hetimeve. Një drejtim tjetër po aq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar ku ndërmjet agjencive ligjzbatuese ndikon drejtëpërdrejtë në rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe është premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë lidhur me hetimin dhe goditjen e kriminalitetit. Rezoluta e Kuvendit apo edhe Rekomandimet e Qeverisë në luftën kundër kriminalitetit i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm, por pa dyshim nëpërmjet tij i drejtohet të gjithë organit të akuzës, prokurorëve të cilët kanë pavarësinë e hetimit dhe të gjitha institucioneve duke përfshirë dhe prokurorinë e posaçme. Tashmë që kuadri institucional është në funksion, pritet një përmbushje më e mirë e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht të atyre rekomandimeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Ministrja u kërkoi prokurorëve ta konsiderojnë punën e tyre një mision për të bërë drejtësi dhe jo akrobacira proceduriale.

“Prokuroria duhet të ndahet nga mentaliteti i vjetër, prokuroria ka nevojë të largohet nga sëmundjet e vjetra. Prokurorët duhet ta konsiderojnë punën e tyre një mision për të bërë drejtësi, drejtësi të barabartë si për të fortin dhe për të dobëtin, për të hetuar veprat penale pa vonesa, për të mos përdorur akrobaci proceduriale për të mbyllur apo mos shqyrtuar dosjet, për të mbështetur edhe atë policin e shtetit apo policin e burgut që vë jetën në rrezik duke u përpjekur për të mos favorizuar askënd, për të zbatuar frymën e ligjit dhe jo thjesht gërmën e tij. Ka ardhur koha dhe tani është momenti që Prokurorët të mbajnë anën e drejtësisë me qëllimin e përbashkët për të luftuar kriminalitetin”, tha ajo.

Gjonaj po ashtu theksoi se “në sistem ka shumë prokurore dhe prokurorë të përkushtuar të cilët duhet të vijojnë punën e tyre të virtytshme duke mos lënë të demoralizohen nga minuesit e reformës në drejtësi.

Lufta ndaj kriminalitetit është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë aktorëve dhe duhet konsideruar si e tillë, e për këtë arsye kërkohet më shumë bashkëpunim dhe bashkëveprim midis të gjitha strukturave të prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese vendase dhe të huaja.” z.tosku./ /a.g/