.Mjaftojnë 30 minuta në ditë që të zgjoheni të freskët, të rigjeneruar dhe me një start të ri!
Gjumi i pasdites nuk është vetëm një ritual për fëmijët ose dembelët, por gjithashtu ju lejon të rimbushni energjitë tuaja mendore dhe fizike. Bërja e një sy gjumi në divan pas drekës çdo ditë ju ndihmon për një shëndet sa më të mirë. Rrit qetësinë dhe përqendrimin, zvogëlon stresin dhe ul presionin e gjakut. Në fund të fundit, një gjumë pasdite është i mirë për trupin dhe shpirtin tuaj. Por sa duhet të zgjasë? Disa studime kanë identifikuar kohën e saktë që duhet për rigjenerimin e trupit. Duhen vetëm 26 minuta, konsiderohet si Grali i Shenjtë i dremitjes. Ndërsa dremitjet shumë të gjata mund të shkaktojnë shqetësime të gjumit duke rrezikuar që të zgjoheni me një humor të keq, dhimbje koke madje edhe pak të trullosur.
Një burim i shëndetit dhe bukurisë:
Jo vetëm kaq, personalitete të shquara si Leonardo da Vinci, Winston Churchill dhe një nga aktorët më të dashur të kinemasë italiane, Alberto Sordi ata kurrë nuk e lanë asnjëherë gjumin e pasdites. Edhe kur ishte i zënë në skenë, Sordi bënte gjysmë ore gjumë pas dreke, dhe më pas rifillonte përsëri më i freskët dhe më i kthjellët për të dhënë shfaqje të jashtëzakonshme aktrimi. Në Kinë, neni 49 i Kushtetutës përcakton edhe të drejtën e gjumit. Sidomos në verë, por jo vetëm, trupi ka nevojë për pushim pas drekës ose pasdite vonë. Mendja rigjenerohet, shkëputet nga mendimet e përditshme për një kohë, zbrazet dhe fillon përsëri më krijuese se kurrë.
Në 1995, NASA publikoi një studim duke deklaruar se 26 minuta ishte koha optimale për të pushuar mendjen. Studiuesit zbuluan se ky hark kohor çoi në një rritje prej 34% të performancës dhe 54% në vëmendje. Prodhimtaria është, sigurisht, një nga përfitimet kryesore të dremitjes, siç është përmirësimi i kujtesës. Nga ana tjetër, studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë, në një studim me 3,000 njerëz të moshuar, zbuluan se një gjumë i shkurtër pasdite i dha një hov shtesë funksionimit të trurit të tyre: duke rritur aftësitë e tyre të të menduarit dhe kujtesës, praktikisht sikur i rinoi me pesë vite. Të dhëna evidente që nënvizojnë rëndësinë e gjumit. Sipas hulumtimit nga Kolegji Amerikan i Kardiologjisë, ata pushojnë më shumë se 40 minuta gjatë pasdites janë më të rrezikuar nga rritja e kolesterolit, presionit të gjakut dhe masës dhjamore rreth belit. Ndërsa nga një studim grek i kryer në 37 mijë pjesëmarrës rezultoise gjumi i rregullt ul ataket në zemër me 37%.
Gjeni një vend të qetë larg zhurmës. Shtrihuni në divan ose krevat ku ndiheni më rehat dhe vendosni alarmin për 30 minuta. Lexoni një libër, shfletoni një revistë mode ose shoqëroni pjesën tjetër të kohës me fjalë të ëmbëla. Në kundërt ndizni muzikën, duke zgjedhur këngë relaksuese, të tilla si ato që riprodhojnë tingullin e valëve të detit ose erës. Pas disa minutash do të zhyteni në një gjumë rigjenerues. Ne ju rekomandojmë që të pini një filxhan kafe menjëherë, kështu që kafeina do të bëjë magjinë e saj gjatë 30 minutave të ardhshme, dhe ju do të zgjoheni me energji, të gatshëm për të shkuar përsëri dhe për ta bërë punën dhe studimin tuaj më efektiv. Shpëlajeni fytyrën me ujë të freskët, bëni pak stretching dhe pini një gotë ujë!
Një gjumë pasdite ndihmon për të karikuar bateritë dhe për t’i dhënë një hov të ri kreativitetit dhe imagjinatës. Ndihmon edhe në përqendrim. Një moment real i mirëqenies për trupin, dhe rekomandohet shumë. Bëni një pushim, duke përgatitur kështu trurin tuaj për të marrë stimuj të rinj së shpejti. Ky zakon i shëndetshëm, i cili ju lejon të rigjeni vëmendjen në punë ose në studim, nuk ka të bëjë vetëm me ne njerëzit, por me të gjithë gjitarët dhe me kafshët, siç janë dhe miqtë tanë më të mirë me katër këmbë, shoqëruesit e përsosur për një pushim të shkurtër. Në mes të ditës, dremitja mund të na bëjë më pak impulsivë dhe më tolerantë, madje edhe në trajtimin e zhgënjimeve të përditshme. Ju sjell përsëri me një humor të mirë dhe ju ndihmon të rikuperoheni nga lodhja e mëngjesit.
Gjumi i pasdites është një zakon i mirë që garanton përfitime të shumta. Nëse dremisni herët në pasdite, kjo nuk do të ndikojë në gjumin tuaj të natës. Këshilla është spostimi jo pas orës 16:00 dhe as menjëherë pasi të ngriheni nga tavolina. Idealja është të presësh rreth 30 minuta pas drekës, ndoshta edhe duke bërë një shëtitje të shkurtër, për të qenë më pas në gjendje të pushosh në paqe. Nëse bini në gjumë gjatë fazës së tretjes, rrezikoni ta ngadalësoni atë dhe të shkaktoni probleme të zorrëve si fryrje të stomakut, dhimbje stomaku dhe të përziera.
Përshtatur nga www.donnamoderna.com