TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Gramshi ka tashmë një thertore moderne që i jep zgjidhje përfundimtare therjes së bagëtive dhe disiplinon një hallkë shumë të rëndësishme të zinxhirit ushqimor.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi inspektoi sot nga afër ambientet e kësaj thertoreje, një investim prej rreth 700 mijë euro që i vjen në ndihmë të gjithë zonës.

Çuçi tha se “vetëm me këtë standard ne mund të garantojmë siguri ushqimore për shqiptarët dhe mbi të gjitha për të çarë në tregjet e Europës”.

“E vetmja gjë që nuk kemi arritur ta bëjmë është pikërisht eksporti në Europë i produkteve dhe nënprodukteve të mishit. Duke imponuar këtë standard për të gjithë zonën, tani duhet të bëjmë edhe një treg dhe krijohet e gjithë infrastruktura e duhur për të garantuar siguri ushqimore të plotë me produktet e mishit”, tha Çuçi.

Thertorja e Gramshit ka një kapacitet ditor për rreth 60 gjedhë dhe 500 krerë të imta. Disiplinimi i therjes së mishit lidhet direkt me sigurinë ushqimore./m.m/